CSKA-ja e Moskës, kampione e Evropës në basketboll

16/05/2016 00:00

CSKA-ja e Moskës është skuadra kampione e Evropës për klube në basketboll për meshkuj. Skuadra ruse mposhti Fenerbahçen në një finale dramatike 101-96, për t’u rikthyer në majën e Olimpit të basketbollit në Kontinentin e Vjetër pas 8 vitesh. Për CSKA-në e Moskës ky ishte titulli i 7 evropian në historinë e saj, ku i fundit ishte ai i vitit 2008.

Në Berlin, CSKA-ja dhe Fenerbahçja u bënë protagoniste të një ndeshjeje vërtet spektakolare dhe të çmendur, ku për të mësuar emrin e fituesit duhej të prisnim kohën shtesë dhe të mendosh se gjatë takimit ,CSKA-ja e Moskës kishte krijuar një diferencë prej 21 pikësh.

Por, nëse ka një sport ku është e ndaluar të festosh përpara rënies së sirenës që dekreton fundin e takimit, ai është basketbolli. Këtë e vërtetoi më së miri Fenerbahçja, që në periodën e fundit bëri mrekullinë, duke e anuluar krejtësisht këtë disavantazh, madje 2 sekonda nga fundi i kohës së rregullt ishte shumë pranë fitores historike. Pikërisht në këtë çast, Kirapa u bë heroi i CSKA-së, duke shënuar 2 pikët që barazuan rezultatin në 83-83, për ta çuar më pas takimin në 5 minutat e kohës shtesë.

Në këtë fraksion të ndeshjes, CSKA-ja u shfaq më e freskët se Fenerbahçja dhe e udhëhequr nga De Kolo, arrin të vërë sërish diktatin në parket për të mbyllur më pas të gjitha llogaritë e kësaj finaleje dhe për të fituar titullin e kampionit të Evropës pas 8 vitesh.

Top Channel