Kolumbi, sekuestrohen 8 tonë kokainë. Sasia më e madhe në histori

16/05/2016 00:00

Policia kolumbiane sekuestroi atë që mund të jetë sasia ndoshta më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në këtë vend. Gati 8 tonët e kokainës së konfiskuar ishin fshehur në një plantacion bananesh, pranë qytetit bregdetar të Turbos.

Lënda narkotike, sipas autoriteteve vendase, i përket njërës prej bankave më famëkeqe kriminale në vend, klanit Usuga. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e kreut të tij.

“Operacioni në Turbo rezultoi me sekuestrimin e sasisë më të madhe të narkotikëve në historinë tonë”, shkroi në Tëitter Presidenti Juan Manuel Santos. “Kjo është një goditje e fortë që i jepet krimit”, vazhdon mesazhi i kreut të shtetit, i cili përgëzon gjithashtu edhe efektivët e përfshirë në operacion.

Tre persona kanë përfunduar në pranga gjatë ndërhyrjes policore, ndërsa 3 të tjerë arritën të largoheshin e janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për tonelata të tëra droge, që po të shitej në rrugët e Nju Jorkut do të kapte vlerën 250 milionë dollarë, ndaj ky është një grusht i fortë për financat e familjes Usuga, dhe në përgjithësi për narkotrafikantët e rajonit të Urabas në Kolumbi, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Luis Carlos Villegas.

Gati 1.5 tonë të kësaj droge, sipas tij ishin të paketuara e gati për t’u dërguar jashtë kufijve. Kolumbia, sipas të dhënave të OKB-së, prodhon gati 442 tonë kokainë çdo vit. Në vitin 2015, autoritetet atje arritën të sekuestronin 252 tonë lëndë narkotike.

Top Channel