SHBA, skeptikët e ekonomisë pritet të votojnë Sandersin në Kentucky

15/05/2016 00:00

Bernie Sanders e ngriti edhe një herë zërin kundër kompanive të qymyrgurit dhe kërcënimeve të tyre për t’u hequr minatorëve pensionet.

Grabitqarët e “Wall Street”-it, që marrin nën kontroll kompani si “Patriot Coal”, “Alpha Natural Resources” dhe “Walter Energy”, nuk duhen lejuar të shkelin premtimet e bëra mbi pensionet dhe përfitimet e sigurimeve shëndetësore, tha ai në Boëling Green të Kentuckyt.

Senatori i Vermontit mposhti Hillary Clintonin të martën në parapraket e Virxhinas Perëndimore, duke siguruar votën e zgjedhësve thellësisht skeptikë mbi ekonominë, çfarë sinjalizon ndër të tjera se ish-kryediplomatja mund ta ketë të vështirë të fitojë në shtetet industriale në zgjedhjet e përgjithshme.

Një koment i Clintonit, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters” i bërë në Ohio në muajin mars, se vendi do të nxjerrë jashtë loje shumë minatorë e kompani qymyrguri, mund t’i ketë dëmtuar mundësitë e saj për vota në shtete si Virxhinia Perëndimore, ku industria minerare ka rol qëndror. Kentucky gjithashtu mbështetet shumë te qymyrguri, e Sandersi shpreson të arrijë edhe atje fitore në votimet e 17 majit.

“Premtime iu janë bërë këtyre minatorëve dekada e dekada më parë dhe, në shumë raste, ata kanë hequr dorë nga përfitimet shëndetësore me shpresën që, kur të plaken të kenë një pension dinjitoz. Është moralisht e papranueshme, që tani, pas vitesh të tëra sakrifice, vitesh të tëra pune stërmunduese, këto premtime të rrëzohen e minatorët të dalin duarbosh”, tha Bernie Sanders.

Humbja e saj në Virxhinian Perëndimore dhe një fitore e Sandersit në Kentucky do ta ngadalësonin marshimin e Clintonit drejt nominimit, por ajo vazhdon të mbetet favorite për përfaqësimin e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.

Top Channel