Venezuela, në gjendje të jashtëzakonshme. Maduro: Sekuestrojmë fabrikat e mbyllura

15/05/2016 00:00

Një ditë pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, që i lejon qeverisjen me dekret në mesin e krizës së rëndë ekonomike që ka mbërthyer vendin, Presidenti venezueljan Nicolas Maduro kërcënoi të marrë nën kontroll fabrikat që pezulluan punën.

Vendi anëtar i OPEC-ut ka rrëshqitur ngadalë në kaos pas rënies pikiatë të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, e tani venezueljanët përballen me mungesa kronike të mallrave të konsumit, me një inflacion treshifror, ndërsa shteti rrezikon falimentin për shkak të nivelit të lartë të borxhit.

Mbrëmjen e së premtes, Maduro vendosi për 60 ditë gjendjen e emergjencës, me pretendimin se situata nëpër të cilën po kalon Venezuela është pasojë e komploteve të brendshme e të jashtme për rrënimin e tij.

Pas kësaj, të shtunën njoftoi marrjen e fabrikave që kishin ndaluar prodhimin dhe burgosjen e pronarëve të tyre.

“Shoke, jam gati t’ia kaloj pushtetit të përbashkët fabrikat, që disa koka të mëdha konservatore të këtij vendi i kanë shtyrë të pezullojnë aktivitetin. Një fabrikë që nuk punon është një fabrikë që i duhet dorëzuar popullit. Dhe ne kështu do të bëjmë. Ka ardhur koha për ta radikalizuar revolucionin e këtë herë nuk do të ketë lëkundje”, tha Nicolas Maduro, President i Venezuelës.

Protestat në vend sa vijnë e shtohen dhe sondazhet më të fundit të opinionit tregojnë se, 70% e venezueljanëve kërkojnë tani që Maduro ta lërë postin këtë vit.

Top Channel