Dopingu i atletëve rusë, Moska: Të keqardhur dhe të turpëruar, por jo dënim kolektiv

15/05/2016 00:00

Rusia ndihet tepër “e keqardhur” dhe “e turpëruar” prej atletëve që kanë mashtruar me përdorimin e substancave dopuese dhe që nuk janë kapur prej sistemeve antidoping të vendit. Këtë ka bërë të ditur ministri rus i Sporteve këtë të dielë.

Rusia është përjashtuar nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare, pas një raporti të rëndë të hartuar prej Agjencisë Botërore të Antidopingut (WADA), por Vitaly Mutko është shprehur se, mosheqja e këtij pezullimi për Olimpiadën e Rio de Janeiros do të ishte “e padrejtë dhe në proporcion të zhdrejtë”, pasi në këtë mënyrë do të dënoheshin edhe atletët që nuk kanë përdorur ndonjëherë doping.

Sipas asaj që ai ka shkruar në “Sunday Times”, të gjithë atletët duhet të kontrollohen në mënyrë të vazhduar nga autoritetet e Rios.

Raporti i “WADA”-s e përshkroi si një kulturë mashtrimi sistematike të sponsorizuar nga shteti, atë të atletëve rusë, madje akuzoi për përfshirje në dopimin e tyre edhe shërbimet sekrete. Sipas raportit, Konfederata ruse e Atletikës (ARAF), Agjencia ruse e Antidopingut (RUSADA) dhe Federata ruse e Atletikës (RAF) kanë dështuar të përmbushin të gjitha procedurat antidoping.

“Ne nuk e mohojmë që kemi një problem në Rusi dhe po bëjmë gjithçka të mundshme në nivel shtetëror për të çrrënjosur dopingun, përfshi këtu dënimin e atletëve dhe trajnerëve që gjenden në shkelje të rregullave antidoping”, thotë Mutko, ministër i Sporteve. “Por dopingu është një problem global, jo vetëm i Rusisë”.

Top Channel