Referendumi britanik, Johnson: BE-ja, me të njëjtat objektiva si Hitleri e Napoleoni

15/05/2016 00:00

Ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, i ka krahasuar objektivat e Bashkimit Europian me ato të Hitlerit, duke thënë se, si ish-kreu nazist i Gjermanisë, ashtu edhe unioni i sotëm dëshirojnë të unifikojnë Europën nën një “autoritet” të vetëm.

Tashmë vetëm një deputet i konservatorëve pro-“Brexit”, apo pro daljes së Britanisë nga BE-ja, tha gjithashtu se qoftë udhëheqësi nazist, ashtu edhe Napoleoni Bonaparti dështuan ta unifikojnë kontinentin e vjetër, ndërsa Bashkimi Europian është thjesht një “përpjekje për ta arritur diçka të tillë, por me metoda të ndryshme”.

Deputeti Yvette Copper nga laburistët, i cili bën pjesë në ata që janë pro qëndrimit të Britanisë në BE, akuzoi ish-kryebashkiakun e Londrës se po “luan me lojëra të rrezikshme dhe të ndyra”. Ndërkohë, udhëheqësi i “UKIP”-it, Nigel Farage e ka mbështetur Johnsonin për t’u zgjedhur kryeministri i ardhshëm i vendit.

Farage ka deklaruar për “Mail on Sunday” se është një fans i Borisit dhe se e mbështet atë për të pasuar David Cameronin, nëse kryeministri aktual do të japë dorëheqjen pas rezultatit të referendumit, që do të zhvillohet më 23 qershor,kur votuesit britanikë do të pyeten nëse dëshirojnë që vendi i tyre të qëndrojë apo të largohet nga Bashkimi Europian.

Sipas Boris Johnsonit, i cili ka folur për “Sunday Telegraph”, historia europiane ka parë shpeshherë përsëritjen e përpjekjeve për të rizbuluar “epokën e artë të paqes dhe prosperitetit nën sundimin roman”.

“Napoleoni, Hitleri dhe shumë njerëz të tjerë janë përpjekur për këtë, por është parë se diçka e tillë përfundon tragjikisht. BE-ja është thjesht një përpjekje për ta bërë këtë realitet, por me mënyra të ndryshme”, tha ai. “Por në thelb, ajo që mungon është edhe problemi i përjetshëm: ende nuk ka besnikëri me baza të forta për idenë e Europës. Nuk ekziston ndonjë autoritet i vetëm, që të gjithë të tjerët të kenë respekt për të dhe ta mirëkuptojnë. Ndaj dhe ekziston ky boshllëk masiv demokratik”.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur fushata nga të dyja anët e debatit ka zbritur edhe nëpër rrugët e vendit ishullor, në mënyrë që të bindin sa më shumë votues, gjë që është kritikuar në fakt nga ata që bëjnë fushatë në favor të “qëndrimit”.

Top Channel