Hollande: Boko Haram mbetet një kërcënim serioz

14/05/2016 17:10

Grupi terrorist Boko Haram mbetet një kërcënim serioz. Kështu ka deklaruar presidenti francez Francois Hollande në prag të samitit që zhvillohet në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja.

Pasi takoi homologun e tij nigerian Muhammadu Buhari, Hollande ka theksuar se, rreziku mbetet pavarësisht epërsisë “befasuese” të forcave qeveritare kundër grupit të militantëve.

Liderët e shumë vendeve janë mbledhur në Nigeri për të diskutuar se si të bashkojnë forcat kundër fraksionit islamik, rebelimi 7-vjeçar i të cilit u ka marrë jetën rreth 20 mijë personave dhe zhvendosjes e rreth 2 milionë të tjerëve.

Anëtarët e Boko Haram kanë goditur shënjestra civile në një kohë kur ushtria nigeriane po mundohet të rekuperojë territorin e humbur. Gjithashtu, grupi ka vendosur lidhje me Shtetin Islamik.

Presidenti Buhari po pret mes të tjerësh në këtë samit homologë nga vende si Kameruni, Çadi, Nigeri dhe vende të tjera afrikane, si dhe sekretarin e Jashtëm britanik Philip Hammond dhe nënsekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Blinken, që ndodhet prej kohësh në Nigeri, ka shprehur shqetësimin për faktin se të dhënat tregojnë se militantët po shkojnë në Libi, ku influenca e ISIS është shtuar ndjeshëm në muajt e fundit.

“Aftësitë komunikuese të Boko Haram janë përmirësuar. Ata duket se kanë përfituar nga asistenca e ISIS”, ka thënë Blinken.

Top Channel