Hamilton humb ‘oreksin’, sezonin e ardhshëm mund të pushojë

14/05/2016 00:00

Lewis Hamilton mund të qëndrojë pushim në vitin 2017. Këto janë zërat e fundit që po qarkullojnë prej ditësh në Barcelonë në lidhje me të ardhmen e kampionit të Botës në Formula 1.

Piloti britanik ende nuk ka fituar asnjë garë në Botërorin e këtij viti, ndërkohë që nuk i kanë munguar as problemet me besueshmërinë e makinës. Pikërisht kjo e fundit ka bërë që të ngrihen teori konspirative, sipas të cilave, Mercedes këtë vit preferojnë që të shohin Rosberg kampion bote të Formula 1.

Një tjetër teori që flet për një tërheqje të përkohshme të Hamilton ka të bëjë me stilin e jetës së pilotit jashtë pistave. Sipas kësaj teorie, 30-vjeçari duket se është dorëzuar përballë argëtimit dhe nuk duket aq i motivuar për garat e Formula 1.

Sikur të mos mjaftonin zërat mediatike, po në lidhje humbjen e përqendrimit të Hamilton në Botërorin e Formula 1, ka folur edhe një prej drejtuesve të skuadrave të këtij kampionati, i cili ka preferuar të mos e tregojë identitetin e tij. Sipas tij, Hamilton duket se nuk e dëshiron më aq shumë suksesin në Formula 1 pas 3 titujve të fituar.

Top Channel