Obama “qan hallet” e vendeve nordike

14/05/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ngriti një dolli për Suedinë, Danimarkën, Finlandën dhe Norvegjinë, për kontributin e vendeve nordike në çështjen e të drejtave të njeriut, çështjet humanitare apo në kauzën e ndryshimeve klimaterike.

Takimi ishte diplomatik i mbajtur thuajse në fund të mandatit presidencial të Obamas, i cili mbaron në janar të vitit të ardhshem. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shprehur gjithmonë admirimin e tij për mënyrën e qeverisjes te vendet nordike, për pragmaticitetin dhe politikat frymëzuese që ato ndjekin.

“Në bllokun nordik ka debate të nxehta, se cili nga vendet është aktualisht më i lumturi. Ata debatojnë edhe se cili nga ato shtete ka skuadrën më të fortë të hokejit, deri në momentin që Amerika ua grabit trofeun nga duart. Madje vendet nordike debatojnë se cili është shteti prej nga ka origjinën e vërtetë Santa Claus. Këto janë disa nga shqetësimet që kanë miqtë tanë nordikë”, deklaroi Obama.

Sondazhet tregojnë se këto shtete kanë mirëqënien më të lartë.

Mbremja gala u zhvillua pas një samiti ku shefi i Uashingtonit, së bashku me udhëheqësit e këtyre shteteve shprehën shqetësimin e thellë për lëvizjet e fundit ushtarake të Moskës në Ukrainë dhe në rajonin Balltik. Obama theksoi nevojën e mbajtjes në fuqi të sanksioneve kundër Rusisë.

Top Channel