ISIS nuk është tifoz, vret fansat e Realit në Bagdad

14/05/2016 00:00

Një grup xhihadistësh të armatosur me automatikë të tipit AK-47, kanë kryer masakrën e radhës. Ata ekzekutuan të pakten 16 tifozë të Realit të Madridit në Bagdad, thjesht sepse kalifati i vetëshpallur nuk e ka qejf futbollin.

Masakra  e përgjakshme ndodhi në një lokal në kryeqytetin e Irakut,  ku tifozët po ndiqnin ndeshjet. Nga ky sulm më shumë se 20 persona mbetën të plagosur.

ISIS mori përgjegjësinë e sulmit dhe publikoi disa imazhe që ilustrojnë incidentin.

Ekipi i Realit të Madrid shprehu ngushëllimet për humbjen e tifozëve, nëpërmjet një deklarate të postuar në faqen zyrtare të skuadrës në Facebook.  Madje kapiteni i  Realit në ndeshjen e radhës do të mbajë në krah një shirit të zi në shenjë respekti për viktimat.

Presidenti i La Liga Javier Tebas, u shpreh i tronditur nga sulmi duke thënë se futbolli shihet nga terroristët si një objektiv për sulmet e tyre.

ISIS vijon të rekrutojë një numër të madh luftëtarësh për të kryer sulmet e tyre barbare. Agjencia e Brendshme e Sigurisë në Berlin, ka dhënë alarmin se vetëm nga Gjermania të paktën 820 persona, shumica të rinj kanë lënë vendin për t’u bashkuar me xhihadistët në Siri dhe Irak, duke shprehur shqetësimin në lidhje me numrin e lartë të personave të radikalizuar që shkojnë të luftojnë në Lindjen e Mesme.

Top Channel