Ja grupet ku mund të vendoset Kosova për eliminatoret e Botërorit

14/05/2016 00:00

Kosova është tashmë anëtare me të drejta të plota në organizmin më të lartë drejtues të futbollit botëror, FIFA, pasi siguroi 141 vota pro dhe vetëm 23 kundër në Kongresin e 66, që po i zhvillon punimet në Meksiko Siti.

Pas këtij vendimi historik, Kosova ka të drejtë të marrë pjesë në eliminatoret e botërorit që do të zhvillohet në vitin 2018 në Rusi.

Por cili do të jetë grupi ku përfaqësuesja me e re e FIFA-s do të luajë ndeshjet e saj eliminatore? Pas vendimit, FIFA lëshoi një njoftim ku bënte të ditur se do të jetë UEFA ajo që do të vendosë për fatin e Kosovës në mbledhjen e ardhshme.

Por, deri në mbledhjen e UEFA-s një gjë mund ta themi me siguri, që Kosova do të jetë në njërin nga grupet I ose H, pasi në ndryshim nga grupet e tjera këta janë të vetmit me nga 5 ekipe.

Nëse Kosova do të vendosej në grupin H, atëherë do t’i luante eliminatoret kundër Belgjikës, Bosnjës, Greqisë, Estonisë dhe Qipros. Ndërsa në grupin I janë këto ekipe: Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda.

Top Channel