Të vdesësh për arin

14/05/2016 00:00

Ish-minatorët e arit në Afrikën e Jugut tashmë mund të padisin kompaninë minerare për dëme shëndetësore të shkaktuara në punë.

Kështu vendosi një gjykatë në Johanesburg, duke i hapur rrugën padisë kolektive më të madhe në historinë e Afrikës së Jugut. Ish-minatorët thonë se pas vitesh pune në miniera janë që të gjithë të sëmurë me silikozë, një sëmundje e pakurueshme e mushkërive.

Sipas gjykatës në Johanesburg, padia kolektive ishte opsioni i vetëm real për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Ekspertët thonë se çështja që tashmë pritet të nisë mund të zgjasë me vite të tëra, por ish minatorët e kanë cilësuar si një fitore edhe mundësinë që ju dha për të paditur ish-punëdhënësit e tyre.

Mediat afrikano-jugore shkruajnë se mes të paditurve kryesore do të jenë kompanitë “Angloamerikan”, “Anglogold Ashanti”, “Gold Fields” dhe “Harmony Gold”. Në një komunikatë të përbashkët, kompanitë thanë se vendimi për të çuar çështjen e gjyq nuk tregon se ish-minatorët kanë të drejtë. Por, në krahun tjetër, përfaqësuesit ligjorë të ish-minatorëve thonë se ky vendim është hapi i parë për të marrë drejtësi.

Një prej kompanive të përfshira në këtë çështje, “Angloamerikan”, në një padi të veçante me 400 minatorë arriti një marrëveshje duke i dëmshpërblyer ata me 30 milionë dollarë.

Nuk është e qartë nëse çështja aktuale do të zgjidhet jashtë gjyqit, por ekspertët thonë se për minatorët që presin prej vitesh ndërsa shëndeti i tyre përkeqësohet, kjo do të ishte një zgjidhje e mirë.

Silikoza, e cila shkaktohet nga thithja e pluhurit të që gjendet në shkëmbinjtë që mbajnë ar, mund të sjellë edhe tuberkuloz. Sipas gjykatës në Johanesburg, edhe kompanitë minerare janë të ndërgjegjshme dhe kanë pranuar se shumë minatorë gjatë viteve kanë humbur jetën për shkak të kësaj sëmundje.

Top Channel