Agostinelli: Partizani, fituesi moral. Josa: Titullin e vendosim në Vlorë

13/05/2016 00:00

Goli i Vilës një minutë para përfundimit të ndeshjes i prishi festën korçarëve, të cilët kishin filluar të festonin titullin e 6 radhazi kampion. Fitorja 0-1 e Partizanit ndaj Skënderbeut e rihap kampionatin duke bërë që skuadra kampione e Shqipërisë të vendoset javën e fundit të këtij sezoni.

Fitorja në Korçë i mban gjallë ende shpresat për titull kampion te Partizani. Presidenti i të kuqve, Gazmend Demi foli pas takimit, duke thënë se ata shpresojnë. “Ndeshja e fundit ndaj Durrësit është mjaft e fortë, por shpresa vdes e fundit”, presidenti i Partizanit.

Për trajnerin e të kuqve, Agostinelli, Partizani tashmë është fituesi moral i kampionati pas fitores së fundit ndaj Skënderbeut në Korçë. “Nuk e dimë nëse do të shpallemi kampion, pasi nuk varet çdo gjë nga ne. Tani, ne jemi kampionët moral të këtij kampionati”, u shpreh Agostinelli.

Emiliano Vila ishte njeriu i ndeshjes në stadiumin e Korçës pasi realizoi golin e vetëm të takimit dhe zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Ai u shpreh pas takimit se fitorja ishte për ata që nuk besonin te ky Partizan. “Kjo fitore ishte për të gjithë ata që nuk besonin se Partizani nuk mund të shpallej kampion. Jemi të denjë për titull kampion dhe këtë e vërtetuam sot”, tha Vila.

Nga kampi korçar pas takimit foli trajneri Josa, i cili tha se pavarësisht humbjes Skënderbeu është sërish i pari dhe në Vlorë do të shkojë për fitore. “Nuk mund të them se na u prish festa, pasi nuk ishin të përgatitur për një gjë të tillë. Megjithatë do të ishte bukur nëse do ta fitonim sot kampionatin, pasi ishim përballë tifozëve tanë. Por, ne jemi aktualisht dy pikë përpara dhe shkojmë në Vlorë për të fituar ndeshjen”, tha Josa.

Për sulmuesin kryesor të korçarëve, Hamdi Salihi, Skënderbeu duhet të bëjë në Vlorë atë që Partizani bëri të premten në Korçë. “Ndoshta ishte gabimi ynë që nuk arritëm të shfrytëzojmë momentet kur Partizani humbi ekuilibrat. Bravo i qoftë Partizanit, por ne e kemi sërish në dorë, kemi punën tonë. Partizanit i duhej fitorja sot, erdhi e mori, ne na duhet fitorja në ndeshjen e fundit në Vlorë, do shkojmë ta marrim”, tha Salihi.

E gjithë vëmendja përsa i përket kampionit tashmë transferohet në javën e fundit, aty ku Skënderbeu do të luajë në Vlorë ndaj Flamurtarit, që kërkon mbijetesën, ndërsa Partizani do të presë në Tiranë Teutën që shpreson Europën.

Top Channel