Anëtarësimi në FIFA, reagojnë krerët e politikës së Kosovës

13/05/2016 00:00

Kryesia e Federatës së Futbollit të Kosovës organizoi një pritje zyrtare për rezultatet në Prishtinë. Momenti i votimit “pro” është duatrokitur, ndërsa për këtë fitore të shumëpritur, Federata kishte bërë gati edhe fishekzjarret e festës.

Sekretari i Federatës, Eroll Salihu deklaroi se ky ishte një moment tepër i rëndësishëm, pasi tani do të marrë frymë në të vërtetë futbolli kosovar dhe tani do të ketë më shumë investime.

Pranimi i Kosovës në FIFA është përshëndetur menjëherë nga krerët e institucioneve të Kosovës, duke uruar sportistët kosovarë, të cilëve u është hapur perspektiva për të luajtur nëpër kompeticione ndërkombëtare të futbollit. Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar në Facebook se, “Europa është shumë e vogël për talentët tanë të mëdhenj”.

“Anëtarësimi i sotëm në FIFA krijon përfundimisht një terren të ri për promovimin e futbollit kosovar në garat botërore. Gjatë izolimit 25-vjeçar, ne u kemi dhënë shumë talentë kombëtareve dhe ekipeve botërore. Nga sot, ata e kanë vendin në Kombëtaren e Kosovës. Jam mirënjohës për të gjithë ata, që punuan për anëtarësimin e Kosovës në FIFA”, ka shkruar Thaçi.

Edhe kryeministri Isa Mustafa ka uruar sportdashësit përmes një reagimi në Facebook, ndërsa ka premtuar mbështetje nga ana e qeverisë për sportin.

Kryeprlamentari Kadri Veseli, ndërkaq, tha se pranimi i Kosovës nga FIFA është një hap i rëndësishëm përpara, në konsolidimin e mëtejshëm të imazhit dhe pozitës së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Shumë shpejt, mbarë bota do ta shijojë futbollin e talentëve të panumërt të rinisë sonë”, ka shkruar Veseli.

Kosova është bërë anëtarja e 210 e FIFA-s, pasi Kongresi i kësaj organizate votoi me 141 vota pro, ndërsa vetëm 23 ishin kundër.

Tani Kosovës i lejohet pjesëmarrja në kualifikueset e Botërorit të Rusisë, që mbahet në vitin 2018, por pritet të përcaktohet nga UEFA se në cilin grup do të vendoset. Pranimi në FIFA për Kosovën vjen 10 ditë pas pranimit në UEFA, në Kongresin e Budapestit më 3 maj.

Top Channel