FIFA emëron të parën Sekretare të Përgjithshme në histori, senegalezen Samoura

13/05/2016 00:00

Kongresi i FIFA-s ka shënuar një risi gjatë punimeve të kësaj të premteje, teksa ka zgjedhur të parën Sekretare të Përgjithshme femër në historinë e organizmit më të lartë drejtues të futbollit botëror.

Senegalezja Fatma Samba Diouf Samoura do të pasojë në këtë post ish-sekretarin Jerome Valcke, i cili u pezullua nga të gjitha aktivitetet e futbollit për 12 vite, pas skandalit të korrupsionit që goditi FIFA-n muajt e fundit, si pasojë e të cilit dha dorëheqjen edhe kreu i saj Sepp Blatter.

Samoura, 54-vjeçare, ka punuar për rreth 21 vite në Kombet e Bashkuara, ndërsa do të nisë zyrtarisht punën në organizmin qeverisës të futbollit botëror në muajin qershor.

“Është diçka thelbësore, që FIFA të përfshirë perspektiva të reja në radhët e saj, pasi po përpiqemi të rikthejmë besimin dhe të rindërtojmë organizatën tonë”, tha presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, ish-sekretar i përgjithshëm i UEFA-s.

“Ajo e ka provuar tashmë aftësinë për të ndërtuar dhe udhëhequr grupe, si dhe për të përmirësuar mënyrën sesi performojnë organizatat. E rëndësishme për FIFA-n është se, ajo e kupton shumë mirë që transparenca dhe përgjegjshmëria apo llogaridhënia janë parimet bazë dhe në zemër të një organizate që drejtohet në mënyrën e duhur dhe të përgjegjshme”.

“Kjo e sotmja është një ditë e mrekullueshme për mua, jam tepër e nderuar të marr përgjegjësinë e këtij roli”, tha ajo. “Ky rol përshtatet më së miri ndaj aftësive dhe eksperiencave të mia, ku spikasin ndërtimi i grupeve me impakt të lartë dhe në parametra ndërkombëtare, të cilat do t’i përdor për të ndihmuar në rritjen e lojës së futbollit në të gjithë botën”.

Top Channel