Petkovic del garant: Shqiptarët nuk ikin nga Zvicra

13/05/2016 00:00

Trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkovic, ka dhënë garanci se lojtarët shqiptarë me origjinë nga Kosova nuk do të largohen nga kombëtarja helvetike. I bindur, trajneri u shpreh se Zvicra nuk ka pse të ketë frikë, pasi shqiptarët luajnë me zemër për skuadrën e tij.

“Ka gjasa të mëdha që Graniti të ndryshojë skuadër, por vetëm në rang klubesh. Pranimi i Kosovës në UEFA i ka lumturuar të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës, por Behrami e bëri shumë mirë të qartë se të gjithë futbollistët kosovarë që janë pjesë e Zvicrës luajnë me zemër për këtë përfaqësuese dhe ata nuk mund të largohen nga Zvicra”, deklaroi Petkovic.

I pyetur për mundësitë e Zvicrës në Europianin e këtij viti, Petkovic, i cili do të përballet edhe me Shqipërinë më 11 qershor në Lens, tha se skuadra e tij ka potencial për të bërë surprizën.

“Objektivi ynë është të sigurojmë kualifikimin pas dy ndeshjeve të para në grup. Duam të shkruajmë historinë në Francë. Kjo skuadër më kujton përfaqësuesen U-17 që fitoi Botërorin përpara disa vitesh. Ky ekip ka shumë potencial por duhet ta tregojmë në fushë diçka të tillë”, tha ai.

Top Channel