“Zika”, ekspertët e shëndetësisë: Rrezik real gjatë Olimpiadës në Brazil

13/05/2016 00:00

Ndërkohë që Brazili po vuan nga një krizë e thellë politike dhe nga recesioni më i madh ekonomik i vendit, ekspertët e shëndetësisë shtojnë një tjetër alarm për vendin.

Virusi “Zika” mund të përhapet në kohën e zhvillimit të Lojërave Olimpike, kjo pasi mushkonja e rrezikshme që qarkullon në vend mund të infektojë më shumë se gjysmë milioni vizitorë, të cilët do të shkojnë në Brazil për të ndjekur nga afër maratonën e gjatë të lojërave.

Virusi “Zika” është i përhapur në më shumë se 50 vende, por Brazili mbetet ende një nga shtetet më të prekur. Numri i foshnjeve me kokë të deformuar dhe tru të pazhvilluar është tepër i lartë.

Për ekspertët, situata është ende e pakontrolluar, pasi nuk ekzistojnë masa konkrete për t’u mbrojtur nga ky virus, kura për të cilin nuk është gjendur ende.

Rio de Janeiro ka të regjistruar 26 mijë raste të dyshuara me “Zika”, numri më i lartë në çdo zonë të Brazilit, dhe ka një probabilitet infektimi 157 në 100 mijë persona, norma më e lartë në vend.

Ekspertët e shëndetësisë thonë se, përpara sesa të presin biletën e Lojërave Olimpike, mijëra vizitorë duhet të mendojnë se po shkojnë drejt e në zemër të epidemisë.

Top Channel