Irak, masakër ndaj tifozëve të Realit të Madridit. 14 të vdekur, 20 të plagosur

13/05/2016 00:00

Militantë të ISIS-it kanë masakruar 14 tifozë irakenë të Realit të Madridit, në një sulm të egër me armë ndaj klubit të tifozëve, në Samarra, periferi veriore e kryeqytetit Bagdad. Të paktën 20 të tjerë mbetën të plagosur nga ky akt makabër.

Pamjet tmerruese nga vendngjarja tregojnë dyshemenë e lokalit, ku kishin qendrën e tyre të grumbullimit tifozët, të mbuluar tërësisht me gjak, pasi një agresor i armatosur me kallashnikov hyri brenda dhe zbrazi karikatorin ndaj mbi 50 fansave të pranishëm, të cilët ishin duke pirë kafe dhe po shihnin ndeshje të vjetra të klubit madrilen.

Presidenti i klubit të mbështetësve të Realit të Madridit në Samarra, Ziad Subhan, tha se “një grup terroristësh islamik nga ISIS erdhën në kafene të armatosur me kallashnikovë, e nisën të qëllonin pa përzgjedhje ndaj kujtdo që ishte brenda”.

I pyetur mbi motivet e sulmit, Ziad Subhan tha se “ata thjesht nuk e pëlqejnë futbollin, sepse mendojnë se është antimyslimane. Ata ndërmarrin shpesh sulme të tilla. Por kjo e sotmja është një tragjedi e vërtetë”.

Terroristët ishin larguar menjëherë nga vendngjarja dhe vetëm pak orë më vonë, njëri prej tyre kishte hedhur në erë veten pranë një tregu fruta-perimesh, pasi policia dhe anëtarë të milicive shiite e kishin rrethuar në një ndërtesë të pabanuar si dhe kishin shkëmbyer të shtëna. Nga kjo përplasje e fundit mbetën 4 viktima dhe dy të plagosur në gjendje të rëndë, thanë burime nga shërbimet shëndetësore.

Top Channel