“Solar Impulse” përfundon etapën e radhës

13/05/2016 00:00

“Solar Impulse 2” përfundoi një tjetër etapë të udhëtimit të tij përreth botës, me zbritjen në Aeroportin ndërkombetar të Tulsas në Oklahoma, pas një fluturimi 18-orësh nga Phoenix i Arizonës.

Drejtimin e avionit diellor, dy pilotët Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg e marrin me radhë. Përmes udhëtimit të nisur marsin e 2015-s, ata po përpiqen të grumbullojnë sa më shumë mbështetje për teknologjitë e energjisë së pastër.

“SI 2” është i pari avion diellor në gjendje të fluturojë ditën dhe natën, pa përdorur asnjë pikë karburanti. Ai u arrit të ndërtohej pas një studimi të kujdesshëm 12-vjeçar. Gjatë ndalesave, ekipi i “Solar Impuls”-it organizon takime dhe vizita për të promovuar mesazhin e këtij misioni dhe për të theksuar zgjidhjet teknike ndaj ndryshimeve klimatike.

Piloti kryesor, Piccard  pati kryer në 1999-n një tjetër fluturim pa ndalesa, me balonë rreth botës.

Top Channel