Kosovë, opozita proteston të shtunën. Haradinaj: Më masivja që nga paslufta

13/05/2016 00:00

Dy partitë opozitare në Kosovë, AAK dhe NISMA, kanë paralajmëruar se protesta e ftuar për të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, në Prishtinë do të jetë më masivja që nga paslufta.

Në një konferencë për mediet, të mbajtur në sheshin “Skënderbeu” ku do të mbahet protesta, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj tha se qytetarë nga i gjithë vendi janë mobilizuar që të bashkohen, në këtë protestë kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe kundër Demarkacionit me Malin e Zi.

“Kundërshtimi opozitar është i gjallë, Kosova është e gjallë. Nesër do ta dëshmojmë në shesh se ky kundërshtim do të arrijë fuqinë e vet, duke detyruar qeverinë antikushtetuese të reflektojë dhe t’ia kthejë mandatin qytetarit”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj i ftoi qytetarët të vazhdojnë, sikurse në të kaluarën, të kundërshtojnë marrëveshjet e dëmshme për Kosovën.

“Sot jemi këtu për t’iu bërë edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët janë të pakënaqur dhe vazhdojnë të jenë të pakënaqur me qeverisjen aktuale, me këtë regjim antikushtetues. Ata të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur kauzën tonë në kundërshtim të dy marrëveshjeve, të demarkacionit dhe të Asociacionit, që edhe nesër, të gjithë së bashku, në mënyrë paqësore të vijnë në këtë shesh dhe të protestojnë”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.

Për shkak të përçarjes me AAK-në dhe Nismën, Vetëvendosje nuk merr pjesë në protestën e së shtunës.

Top Channel