Turqia rrezikon lëvizjen e lirë

13/05/2016 14:35

Edhe pse dritën jeshile të Komisionit Europian marrëveshja e lëvizjes së lirë me Turqinë arriti ta marrë, ajo rrezikon të mos vihet në jetë. Nëse Ankaraja nuk ndryshon ligjet e antiterrorit, ujdia mund të dështojë, paralajmëruan liderët e bllokut, duke nisur nga vetë kreu i KE-së, Jean-Claude Juncker.

“Kushtet duhet të përmbushen. Ne e konsiderojmë këtë shumë të rëndësishme, në të kundërt, marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë nuk do të zbatohet”, tha Juncker.
 
Turqia ndërkohë pretendon se i ka plotësuar kriteret e kërkuara prej saj. Por, ndërsa Brukseli përballet me presionin e gjetjes së një zgjidhjeje pasi pakti me Ankaranë është i një rëndësie kyçe sa i takon frenimit të valës së refugjatëve, presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan e ka bërë vazhdimisht veshin e shurdhër ndaj thirrjeve për ndryshimin e ligjit kundër terrorizmit e së fundi e akuzoi BE-në për hipokrizi.

Nëse Erdoani vazhdon të ndjekë me kokëfortësi strategjinë e tij, atëherë duhet t’i përgjigjet popullit turk se përse Europa po ia mohon atij lëvizjen pa viza, u shpreh Juncker. Ky nuk është problemi im, shtoi zyrtari i lartë, por do të bëhet problemi i tij.

Top Channel