Ish-ndihmësi i Trump: Obama duhej vrarë!

13/05/2016 00:00

Njeriu që punoi si shërbyes i Donald Trumpit për 30 vjet, Anthony Senecal, është sot subjekt hetimi i shërbimit sekret amerikan. Ajo çfarë e ka vendosur në këtë situatë në fakt, nuk është diçka e vogël. Përmes një postimi në Facebook, 84-vjeçari kishte kërkuar vdekjen e presidentit Barak Obama.

Obama duhet të merrej me forcë nga ushtria, shkroi ai, e të qëllohej si agjent armik që në mandatin e tij të parë. Kampi i të nominuarit të supozuar republikan reagoi shumë shpejt duke u distancuar nga komentet e ish-shërbyesit, të cilat e bëri të qartë se nuk i miraton aspak. Senecal nuk është më i punësuar i zotit Trump dhe nuk ka qenë i tillë që prej qershorit vitit 2009. Komentet e tmerrshme të tij ne i dënojmë me forcë, deklaroi zëdhënësja e fushatës Hope Hicks.

Postimi i Senecalit, i cili nuk ishte publik, u raportua fillimisht nga grupi mediatik Mother Jones, e më pas u konfirmua dhe nga organizata të tjera. Medias, në fakt, nuk iu desh të lodhej shumë për verifikimin e këtij shënimi sepse vetë Senecal i tha CNN-it mbrëmjen e së enjtes se “Obama duhet varur përpara Shtëpisë së Bardhë”, të cilës më pas në bashkëbisedim iu referua edhe si “xhamia e bardhë”.

Në një portret që i pat bërë Senecalit në muajin mars, gazeta prestigjoze “New York Times” shkruante se pavarësisht largimit nga puna për shkak të moshës në vitin 2009, ai kishte vazhduar të qëndronte në një pronë të Trumpit në Florida, në cilësinë e një lloj “historiani jozyrtar”.

Top Channel