Demarkacioni me Malin e Zi, para heqjes së vizave

13/05/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se Kuvendi duhet ta ratifikojë së shpejti marrëveshjen për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të zi, pasi sipas tij, kusht i Bashkimit Europian është që kjo të ndodhë para se Parlamenti Europian të votojë për heqjen e vizave.

“Unë konsideroj se kjo çështje nuk mund të mbetet çështje individuale dhe çështje e një partie politike apo një regjioni ose një komune sepse caktimi i kufijve është çështje e të gjitha institucioneve të shtetit dhe si e tillë, ajo duhet të ndodh. Gjithmonë, me mundësinë e hapur, që çdo argumentim do të merret parasysh edhe në të ardhmen edhe nga Republika e Kosovës edhe nga Republika e Malit të Zi”, tha Mustafa.

Pasi e konsideron demarkacionin tanimë një çështje të mbyllur, qeveria ka ndarë buxhetin prej 15 mijë euro për pagesën e ekspertëve ndërkombëtarë të komisionit Ad Hoc për vlerësimin e dokumentacionit për marrëveshjen e demarkacionit.

Kabineti qeveritar po ashtu ka vendosur datën 20 maj si datë fundit për përfundimin e listave të veteranëve të luftës së UÇK-së.

Kryeministri Mustafa tha se duhet të dihet numri i sakët veteranëve sepse ka pasur vërejtje të mëdha për qëndrueshmërinë buxhetore nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Mustafa po ashtu i ka obliguar ministrat që deri javën e ardhshme të përmbyllin gjitha përgatitjet për marrëveshjet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që do të mbahet më 3 qershor në Prishtinë.

Top Channel