Berlin, Juncker e Schauble paralajmërojnë Britaninë para referendumit

12/05/2016 00:00

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble tha gjatë së enjtes se, Britania nuk do të mund të sigurojë një marrëveshje më të mirë anëtarësimi me Bashkimin Europian, nëse populli britanik do të votonte në favor të largimit nga blloku 28-anëtarësh.

Përmes kësaj deklarate të bërë gjatë një takimi me kreun e Komisionit Europian, Juncker, Schauble tha se dëshironte që t’i jepte fund çdo spekulimi të mundshëm se vota për “largim” nga BE-ja në referendumin e 23 qershorit do të mund të përdorej për të përmirësuar detajet e marrëveshjes së arritur tashmë nga kryeministri David Cameron me përfaqësuesit e bllokut.

“Ajo është e vetmja marrëveshje e arritur dhe është mbi tavolinë. Nuk mund të ndryshohet më. Një votë ‘Jashtë’ nuk do të mund të përdorej për të ndryshuar në favor të Britanisë të marrëveshjes së arritur tashmë. ‘Brenda’ dhe ‘Jashtë’ janë terma me kuptim të plotë dhe nuk të lënë të nënkuptosh gjëra të tjera”, tha Schauble. Megjithatë, ai tha se vendimin do ta marrin britanikët dhe “ne do të respektojmë çdo vendimmarrje pas referendumit”.

Pak më herët, edhe një prej krerëve më të lartë të BE-së, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se vendimi për të lënë bllokun europian do të shkaktonte “probleme të shumëfishta”. Kreu i Komisionit Europian tha nga Berlini se, britanikët ende nuk janë informuar mbi “shtrirjen e madhe” të problemeve që mund të shkaktonte dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, por tabloidi “Express” shkon deri atje sa të vendosë në gojën e tij fjalët: Britania mund të shkaktojë fillimin e Luftës së Tretë Botërore, pasi do të shkelte paqen e Brukselit.

E pavarësisht komenteve të medias britanike, Juncker është shprehur se, nëse Britania do të dilte nga Bashkimi Europian, “ne nuk do të ndryshonim kursin tonë, por gjithçka e arritur deri më tani do të rishikohej dhe do të rakordohej sërish”.

“Ideja është e tillë që, ditën pas referendumit britanik me një rezultat negativ, gjithçka mund të ndodhë pasi do të ishte veprimi më i gabuar deri më sot”, tha Juncker. “Ata që largohen nga një tryezë e shtruar, nuk mund të hanë më në atë tryezë”.

Top Channel