SHBA, Trump-Ryan pranojnë dallimet. Angazhohen për unifikimin e partisë

12/05/2016 00:00

Pas takimit mes tyre gjatë kësaj të enjteje, Donald Trump dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, kanë bërë të ditur përmes një deklarate të përbashkët se janë “tërësisht të angazhuar” për të ruajtur unitetin brenda partisë.

Dy republikanët janë duke u përpjekur të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi Ryan deklaroi pak kohë më parë se nuk mundet ta miratojë kandidaturën e miliarderit për president në zgjedhjet e nëntorit, i cili ka mbetur edhe i vetëm në garën për të fituar nominimin republikan, për shkak se biznesmenit i mungojnë parimet konservatore.

“Ne patëm një bisedë tepër të rëndësishme dhe pozitive këtë mëngjes”, shkruanin të dy në deklaratën e përbashkët. “E teksa ishim të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm për dallimet mes nesh, gjithsesi arritëm të pranonim se ka shumë fusha të rëndësishme me pikëpamje të ngjashme”. Sipas deklaratës, ata thonë se “duhet të zhvillojnë të tjera diskutime”, por e kanë ende mundësinë për të unifikuar partinë dhe për të fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Pavarësisht mospajtimit apo mosbesimit ndaj Trumpit, republikanët po bëjnë thirrje për të ruajtur unitetin në parti, në mënyrë që të mund të mposhtin kandidaten e mundshme demokrate, Hillary Clinton, në muajin nëntor.

Manjati i pasurive të paluajtshme, Trump mbërriti në takimin e zhvilluar në selinë e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) në Uashington, mes protestave të të pranishmëve që tundnin pankarta. Pas diskutimit, kreu i RNC-së, Reince Priebus, i cili ndërmjetësoi biseidmet në zyrën e tij, tha se ato patën sukses. Në të kaluarën, Ryan është takuar me Trumpin vetëm në një rast, ndaj dhe të dy ata ranë dakord se do të duhet ta njohin më mirë njëri-tjetrin.

“Ne vijmë nga krahe të ndryshme të partisë sonë, por synimi ynë është t’i unifikojmë këto krahë përreth parimeve kryesore konservatore. Sigurisht ne mund t’ia dalim mbanë në këtë qëllim”.

Në dhjetor të 2015-s, Ryan e kritikoi ashpër propozimin e Trumpit për të ndaluar myslimanët të hynin në Shtetet e Bashkuara. Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve i është rikthyer sërish atij komenti, duke e quajtur atë “thjesht një sugjerim” dhe se, ai propozim “nuk është kërkesë mbi të cilën do të bazohet partia, apo aq më keq vendi i tij”.

Megjithatë, Trump ka deklaruar për “Fox News” se do të ishte shkëlqyeshëm edhe nëse nuk do ta siguronte miratimin e Ryan. “Nëse arrijmë një marrëveshje do të ishte diçka e madhe. Por nëse nuk arrijmë, ne sërish do të vazhdonim përpara, siç kam bërë deri më tani duke fituar kudo”.

Mbështetës të Trump: Senatori i New Hampshire, Kelly Ayotte; neurokirurgu i dalë në pension, Ben Carson; guvernatori i New Jersey, Chris Christie; ish-guvernatori i Louisiana, Bobby Jindal; udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell; guvernatori i Nevada, Brian Sandoval; guvernatori i Wisconsin, Scott Walker; ish-guvernatori i Teksasit, Rick Perry; senatori i Florida, Marco Rubio.

Nuk e mbështesin: Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan; ish-guvernatori i Florida, Jeb Bush; ish-presidentët George H. W. Bush dhe George W. Bush; ish-guvernatori i Massachusetts, Mitt Romney; senatori i Nebraska, Ben Sasse.

Ende pa vendosur: Senatori i Teksasit Ted Cruz; guvernatori i Ohio, John Kasich.

Top Channel