Brazil, pezullohet presidentja Rousseff: Votimi, manipulim dhe grusht shteti

12/05/2016 00:00

Presidentja braziliane Dilma Rousseff nuk u përkul aspak pas pezullimit të kësaj të enjteje, si pasojë e votimit në Senat, për ta vendosur atë në dispozicion të hetimeve dhe gjykimit për shkelje të ligjeve buxhetore, në një vendim historik të detyruar prej një recesioni të thellë dhe skandalit të korrupsionit.

Rousseff, e cila e mbante postin e presidentes që prej vitit 2011, do të zëvendësohet nga zv.presidenti Michel Temer përgjatë kohës së hetimeve që mund të shkojnë deri në 6 muaj.

Duke folur shkurtimisht pas largimit nga pallati presidencial i Brazilit “Planalto”, Roussef tha se ishte njoftuar për pezullimin e saj nga Senati mëngjesin e së enjtes.

“Mund të kem bërë gabime, por kurrë nuk kam kryer ndonjë krim”, tha Rousseff në një fjalim me nerva të tendosura, duke i quajtur akuzat ndaj saj si “manipulime” dhe “grusht shteti”. Udhëheqësja e majtë, tashmë 68-vjeçare, ishte e rrethuar nga një sërë ministrash, të cilët kanë dhënë dorëheqjen së bashku me administratën e saj.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të më duhej të luftoja sërish ndaj një grushti shteti në këtë vend”, tha Rousseff, duke iu referuar si herë e parë kohës kur ajo, si një e re braziliane, kishte luftuar kundër diktaturësh ushtarake braziliane.

Pezullimi i saj erdhi vetëm pak orë pasi Senati votoi 55 pro dhe 22 kundër për nxjerrjen e saj përpara gjyqit, një vendim që i jep kështu fund regjimit thuajse 13-vjeçar të Partisë së majtë të Punëtorëve. Partia u ngrit mbi lëvizjen e punëtorëve të Brazilit dhe nxorri miliona njerëz nga varfëria, përpara se shumë prej udhëheqësve të saj të njolloseshin nga hetimet për korrupsion.

Rousseff, një ekonomiste dhe ish-anëtare e grupit guerrilas “Marxist”, e cila ishte edhe e para presidente femër e Brazilit, duket se ka pak gjasa të fitojë pafajësinë nga gjykimi që do t’i bëhet.

Top Channel