“Eurovision”, sonte Shqipëria

12/05/2016 00:00

Përfaqësuesja e Shqipërisë në festivalin europian të këngës, Eneda Tarifa do të interpretojë sonte në skenën e Stokholmit, në natën e dytë të këtij festivali. Ajo do të këndojë e 17-ta në radhë. Nga 18 këngët konkurrente të mbrëmjes së sotme, do të kalojnë në finalen e 14 majit vetëm 10 prej tyre.

Sonte, “Përralla” shqiptare do të dëgjohet në Stokholm, në skenën e Festivalit Europian të Këngës.

Eneda Tarifa, përfaqësuesja shqiptare në këtë garë muzikore, do të performojë e 17-ta mbrëmjen e sotme, që përkon edhe me natën e dytë gjysmëfinale të “Eurovision”, pas asaj të 10 majit. Prova e parë për këngëtaren në skenën e “Eurovision”-it është kritikuar, ndërsa performanca e saj e dytë është vlerësuar së tepërmi, jo vetëm në aspektin vokal, por edhe për atë skenik.

Kodi i përfaqësueses shqiptare është 17, ndërsa mënyra e votimit këtë herë është e ndryshme nga ajo e deritanishme. Vota e publikut mban peshën kryesore në kualifikim. Shqiptarët që jetojnë në vendet europiane mund të votojnë për Eneda Tarifën, madje këtë vit për herë të parë votohet edhe nga Australia e Amerika. 18 janë këngët konkurrente të mbrëmjes së sotme mes të cilave do të mund të kalojnë në finalen e 14 majit vetëm 10 prej tyre.

Top Channel