Skënderbeu-Partizani, Josa: përballje delikate

12/05/2016 00:00

Skënderbeu dhe Partizani do të hapin javën e parafundit të Kategorisë Superiore dhe me shumë mundësi do të mbyllin çështjen e titullit që luhet mes tyre.

Korçarëve iu mjafton vetëm një pikë për t’u shpallur për të gjashtin vit kampion radhazi. Megjithatë trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, deklaroi se kjo përballje është shumë delikate për skuadrën e tij.

“Është një ndeshje delikate, një ndeshje që duhet luajtur me të njëjtën përqendrim siç i kemi luajt ndeshjet e tjera sepse futbolli është shumë kapriçioz dhe në qoftë se nuk e respekton kundërshtarin, atëherë bie menjëherë në pozita shumë të vështira. Rezultati për ne nuk është vetëm pika, por edhe fitorja. Është edhe ndeshje prestigji për dy skuadrat”, deklaroi Josa.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit do të luhet të premten në stadiumin e Skënderbeut në Korçë nën masa të rrepta sigurie, pasi pritet që edhe nga kryeqyteti të udhëtojnë shumë tifozë të Partizanit.

Gjithçka do të transmetohet si gjithmonë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel