NBA, Golden State kalon në finalen e Konferencës së Perëndimit

12/05/2016 00:00

Golden State Warriors kualifikohet për në finalen e Konferencës së Perëndimit në kampionatin e NBA. Skuadra kampione në fuqi mposhti Portland Trail Blazers në “Oracle Arena” 125-121, për të mbyllur serinë e ndeshjeve në 4-1, me Stephen Curry që festoi titullin e MVP të fituar për të dytin vit radhazi.

Portland bëri një paraqitje të mirë në këtë sfidë të pestë me Warriors dhe i mbylli dy periodat e para në avantazhin 63-58, falë një sërë pikësh të Lillard. Pas pushimit të sfidës shpërthyen Stephen Curry e Klay Thompson, të mbiquajtur ndryshe edhe si “Splash Brothers”. Këta dy lojtarë arritën t’i jepnin avantazhin Golden State falë disa gjuajtjeve të sakta për 3 pikë.

Në periodën e fundit, Curry i dha goditjen përfundimtare Portlandit, duke e çuar në +7 pikë avantazhin e Golden State në 3 minutat e fundit. Warriors e ruajti mjaft mirë kryesimin edhe pse Portland u përpoq t’i kundërpërgjigjej me McCollum. Në fund, Curry e mbylli sfidën me 29 pikë dhe 11 asist, ndërkohë që shënuesi më i mirë i sfidës ishte Klay Thompson me 33 pikë.

Në Konferencën e Lindjes, Toronto Raptors mundi Miami Heat në “Air Canada Center” 99-91, për të marrë kryesimin 3-2 në serinë e ndeshjeve me skuadrën nga Florida. Tashmë, skuadrës kanadeze i mjafton fitorja në ndeshjen e 6 për t’u kualifikuar në finalen e kësaj konference për herë të parë në historinë e saj.

Top Channel