Shtresat e ulëta në Indi, të vetme përballë thatësirës

12/05/2016 00:00

India po vuan verën e tretë të thatë rresht, një situatë që thuajse ka gjunjëzuar vendin aziatik. Por, sikur të mos mjaftonte nëna natyrë, për shtresat e ulëta dhe të varfrit situata bëhet edhe më e vështirë nga ndarja e popullsisë në kasat apo shtresa shoqërore.

Rregulli është fare i thjeshtë, nëse i përket shtresave të ulëta, duhet të gjesh vetë ujë e të mbijetosh, pasi puset dhe burimet i përkasin shtresave të larta.

Bapurao Tajne, një anëtar i shtresës së ulët shoqërore “Dalit” u detyrua që të hapë vetë një pus pasi nuk ju dha leje që të shfrytëzonte burimet apo puset e tjera ende me ujë në zonën Nagpur në shtetin e Maharashtra-s. Shumë fshatarëve të tjerë si ai ju mohua leja që të përdorin puset e shtresave të larta dhe zgjidhja e vetme ishte hapja e një pusi të ri.

Pas 40 ditësh dhe plotësisht me forcë krahu, Tajne mundi që të hapë pusin dhe të shuajë etjen e fshatit të tij të vogël.

Mediat vendase raportojnë, se ndryshe nga shtresat e larta, fshatarët e Nagpurit e kanë vënë ujin e pusit të tyre të ri në dispozicion të kujtdo që ka nevojë.

Ekspertët në Indi thonë se qeveria qendrore dhe ato lokale nuk kanë marrë asnjë masë për krizën e ujit, pavarësisht se problemet u bënë ët qartë pasi stina e musoneve nuk solli reshjet aq shumë të dëshiruara.

Në shtetin e Maharashtra-s, ku situata paraqitet shumë më e rëndë se në zona të tjera të vendit, autoritetet nuk pakësuan aspak sasinë e ujit për industritë e ndryshme, pavarësisht kërkesave të ekspertëve.

Top Channel