Shqipëria që po “flet” italisht

11/05/2016 00:00

Mes 4 kombëtareve debutuese absolute në Europianin e ardhshëm të futbollit, një vëmendje të madhe po ngjall edhe Shqipëria, sidomos në mediat italiane.

Arritja e pabesueshme e “kuqezinjve” të drejtuar nga Gianni de Biasi, ka tërhequr edhe gazetarin e njohur të Apenineve, Gianluca di Marzio, i cili në portalin sportiv ka bërë dhe një analizë të detajuar.

“Drejt Europianit 2016, debutimi absolut i një Shqipërie që flet italisht”, është ajo çka fton lexuesit për të mësuar më shumë mbi skuadrën tonë përfaqësuese, jo vetëm për trajnerin me origjinë nga Sarmede, por edhe për stilin e ngjashëm të lojës.

“Shqipëria është një skuadër që mund të sjellë probleme edhe për Francën organizatore. Është një ekip që flet italisht jo vetëm përmes stafit teknik, por edhe prej 7 lojtarëve që luajnë në Apenine. Që nga portieri Berisha, e deri tek beniamini i mbrojtjes Elseid Hysaj, që në Euro 2016 do të kenë vëmendje të madhe”, thuhet në shkrim.

“Shprehia e një futbolli veçanërisht të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, Shqipëria është një ekip praktik dhe e aftë të riniset me kundërsulme të shpejta. Në 37 ndeshjet e drejtimit të De Diasit, kuqezinjtë asnjëherë nuk kanë pësuar më shumë se dy gola në një përballje, detaj që tregon katenaçio të pastër”, vijon shkrimi.

Sfidën e fundit para se të niset në Europian, kuqezinjtë do ta luajnë më 3 qershor në Bergamo ndaj Ukrainës, një stadium i kaltër që ndoshta do të jetë dhe ngjyra e ardhshme e De Biasit, i përfolur për të marrë drejtimin e Italisë.

Top Channel