Kanada, vizita e Trudeau në Alberta shkakton reagime të ndryshme

11/05/2016 00:00

Njoftimi i kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, se ka ndërmend të vizitojë të premten Fort Murrayn e prekur rëndë nga zjarret, shkaktoi reagime të ndryshme mes të evakuuarve të provincës së Albertës.

U bë një javë, që shpërthimi pa frè i flakëve detyroi dhjetëra mijëra banorë të zonës të braktisnin shtëpitë e tyre e do të duhen mbase edhe shumë javë të tjera, përpara se këta njerëz të kthehen.

Trudeau është mjaft popullor në vend dhe, që prej marrjes së postit disa muaj më parë, ka arritur ta ruajë simpatinë e fituar në fushatë. Por ndërsa lajmi i vizitës së tij duhet të shërbente si ngushëllim për të shpërngulurit, disa prej tyre mendojnë se një gjest i tillë nuk është i mjaftueshëm.

“Duhej të ishte këtu për t’i mbështetur bashkëqytetarët e tij në momentet kur kishin më shumë nevojë. Çfarë nuk bëri për refugjatët sirianë. Të njëjtat përpjekje duhej të kishte bërë edhe për ne”, tha një qytetar.

Mbështetësit e Trudeau mendojnë se, një vizitë e mëhershme do të kishte qenë me pasoja.

“Po çfarë do të bënte edhe po të vinte? Asgjë nuk do të bente dot, nuk është se do t’i shuante ai zjarret. Njerëzit do të thoshin: Ja e bën për publicitet, e bën që të bjerë në sy. Thjesht do kapeshin me të, kjo është e gjitha”, tha një tjetër qytetar.

Udhëheqësi i qendrës përballet ndërkohë me akuzat se ka refuzuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe disa vendeve të tjera për të luftuar zjarret, me këmbënguljen se kanadezët mund t’ia dilnin mbanë fare mirë edhe vet.

Top Channel