NBA, Curry shpallet lojtari më i mirë i vitit

11/05/2016 00:00

Stephen Curry u shpall zyrtyarisht si Lojtari më i mirë i vitit (MVP) në kampionatin e NBA. Ajo që të bën përshtypje është se në favor të Curry u votua në mënyrë unanime nga 131 gazetarët sportivë, diçka që nuk është arritur as nga legjendat e kësaj lige si Magic Johnson, Michael Jordan  apo dhe LeBron James.

Për Curry ky është viti i dytë radhazi që ai shpallet basketbollisti më i mirë i NBA, duke iu bashkuar emrave të tillë si Johnson, Jordan dhe Steve Nash. Curry la pas në këtë garë Leonard të San Antonio Spurs dhe LeBron James të Cleveland Cavaliers.

“Është diçka shumë e veçantë. Dua të festoj dhe të falenderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar të arrij deri këtu. Në radhë të parë dua të falenderoj KIA-n dhe të gjithë gazetarët sportivë që më votuan për këtë çmim. Është një nder i madh dhe unë do ta kujtoj gjithmonë këtë ditë”, tha Curry.
 
I konsideruar si një nga basketbollistët më të mirë në historinë e NBA për gjuajtjet nga distanca, Curry regjistroi në këtë sezon 30.1 pikë për ndeshje, ndërkohë që ai vendosi rekordin me 402 gjuajtje të sakta për 3 pikë, duke ndihmuar Golden State të mbyllë sezonin e rregullt me bilancin 73 fitore e 9 humbje, për të thyer rekordin e Chicago Bulls të sezonit 1995/1996.

Në moshën 28-vjeçare ai ka një saktësi prej 50.4% në gjuajtjet nga loja dhe 90.8% në gjuajtjet e lira. Po kështu, ai shënoi një mesatare prej 6.7 asist dhe 5.4 topa në tabelë për ndeshje. Ai u bë basketbollisti i katërt në historinë e NBA që shënon një mesatare mbi 30 pikë, 6 asist dhe 5 topa në tabelë në një sezon.

Top Channel