Konfliktet në botë shkaktuan 40.8 milionë të shpërngulur në 2015-n

11/05/2016 00:00

Numri i personave të shpërngulur brenda vendeve të tyre, për shkak të konflikteve apo dhunës, arriti në shifrën rekod prej 40.8 milionë njerëz në 2015-n.

Kjo gjë bëhet e ditur në një raport të ri ndërkombëtar, të hartuar nga Këshilli norvegjez i Refugjatëve dhe nga Qendra Monitoruese e Shpërnguljeve të Brendshme, me seli në Gjenevë.

Jan Egeland, sekretari i Përgjithshëm i këshillit norvegjez pohoi se, ky ishte numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Sipas raportit, 8.6 milionë njerëz ishin shpërngulur brenda vendeve të tyre vetëm vitin e kaluar, gjysma e të cilëve në zonat e konfliktit të tilla si Iraku, Siria dhe Jemeni.

“Ndërsa vëmendja e botës është përqëndruar te fluksi i refugjatëve jashtë rajonit, miliona njerëz shpërngulen brenda tij në Lindjen e Mesme, më shumë sesa pjesa tjetër e botës e marrë bashkë”, pohon Carsten Hansen, drejtor rajonal për Lindjen e Mesme i Këshillit norvegjez të Refugjatëve.

Numri i të zhvendosurve brenda rajonit, në Siri dhe Irak, është rritur me 1.3 për qind, ose 1.1 milionë, shifër kjo që i shtohet miliona të tjerëve që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e konflikteve të gjata.

Jemeni është vendi i prekur më rëndë nga kjo dukuri, me rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulur, si rezultat i sulmeve ajrore të drejtuara nga sauditët. Arabia Saudite dhe shtetet aleate të gjirit po ndërmarrin një operacion ushtarak e një bllokadë ekonomike kundër rebelëve Huthi në Jemen, duke shkaktuar atje një katastrofë humanitare.

Mbi një milion refugjatët që arritën në kontinentin e vjetër vitin e kaluar ishin vetëm maja e ajsbergut të shpërnguljeve globale, që mund të vlojnë prej vitesh brenda rajonit para se të shpërthejnë përtej kufijve.

Top Channel