Sulmi në Gjermani, policia: Nuk ka lidhje me terrorizmin

10/05/2016 00:00

Motivet që e shtynë një burrë të godiste me thikë 4 persona, në një stacion treni në afërsi të Mynihut, duke vrarë njërin prej tyre dhe duke plagosur 3 të tjerë, për ministrin e Brendshëm gjerman mbeten ende të paqarta.

Viktima ndërroi jetë në spital, ndërsa të plagosurit po marrin mjekimin e duhur. Sipas deklaratave të dëshmitarëve në vendngjarje, pak para incidentit tragjik sulmuesi kishte bërtitur “Allahu Akbar”, çfarë për botën është kthyer në një sinjal sulmi, që mban vulën e ISIS.

Por pavarësisht kësaj, autoritetet gjermane nuk flasin për një lidhje të mundshme të atentatorit me milintantët e kalifatit të vetëshpallur islamik. Sipas tyre, 27-vjeçari vuante nga probleme të rënda mendore. I dyshuari, idenditeti i të cilit ende nuk bëhet i ditur, e kreu krimin me një thikë prej 10 cm.

Po ashtu, ministri i Brendshëm gjerman nuk dha detaje nëse atentatori do të arrestohet apo do të shtrohet në spital psikiatrik. Sipas Zyrës Kriminale të Landit të Bavarisë, ai vjen nga Landi i Hessenit, ka lindur në Gjermani dhe nuk ka sfond emigranti, çfarë mund të hapte një tjetër debat për pranimin e refugjatëve në vend.

Gjermania ka luajtur një rol kyç në luftën kundër ISIS-it, por asnjëherë nuk ka qenë objektiv i ndonjë sulmi militant, sikurse ka ndodhur me Belgjikën apo Francën.

Top Channel