Samiti antikorrupsion në Britani, Cameron: Nigeria e Afganistani, tmerrësisht të korruptuara

10/05/2016 00:00

Të enjten në Britani do të zhvillohet një samit ndërkombëtar antikorrupsioni, me synimin për të përshkallëzuar veprimet globale në luftën kundër tij në të gjitha fushat e jetës, por ajo që përbën lajm për mediet britanike, është pikërisht kapja me zë e me figurë e kryeministrit David Cameron, teksa i thoshte Mbretëreshës Elizabeth se “në samit do të merrnin pjesë edhe udhëheqësit e disa vendeve ‘tmerrësisht të korruptuara’, përfshi Nigerinë dhe Afganistanin”.

Pamjet e Cameron duke folur me Mbretëreshën mbi samitin janë publikuar në një video “online” të rrjetit të transmetimit “ITN”.

“Patëm një mbledhje tepër të suksesshme kabineti mëngjesin e sotëm, ku folëm kryesisht mbi samitin tonë antikorrupsion”, ka thënë Cameron në momentin kur Elizabeth është afruar. “Do të kemi të ftuar nigerianët, realisht do të kemi udhëheqës nga disa vende tmerrësisht të korruptuara, që do të shkelin në Britani”, vijoi më tej ai, duke mos u ndalur. “Nigeria dhe Afganistani janë ndoshta dy vendet më të korruptuara në botë”.

Mbretëresha Elizabeth, e cila përgjithësisht u shmanget komenteve politike, nuk iu përgjigj as këtij komenti të kryeministrit Cameron. Por kryepeshkopi i Canterburyt, Justin Welby, deklaroi se “presidentët aktualë nuk janë të korruptuar”.

Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, si dhe ai afgan, Ashraf Ghani, e kanë pranuar korrupsionin si një plagë të vendeve të tyre, por janë angazhuar se do ta luftojnë deri në zhdukje atë.

Afganistani renditet në vendin e 166, apo më saktë i parafundit në listë, në Indeksin e fundit të Perceptimit të Korrupsionit të publikuar nga “Transparency International”, si një klasifikim i përvitshëm. Vetëm Koreja e Veriut dhe Somalia, që ndajnë së bashku vendin e 167 dhe të fundit të renditjes, konsiderohen si më të korruptuarat në botë. Megjithatë, Nigeria renditet në vendin e 136 të këtij indeksi.

Top Channel