Kosovë, përkujtohen të rënët e luftimeve të Kumanovës

10/05/2016 00:00

Familjarët e të vrarëve nga Kosova, në ngjarjet e Kumanovës një vit më parë, kanë përkujtuar të afërmit e tyre në një ceremoni përkujtimore në Prishtinë.

Ceremonia nisi me debate mes familjarëve dhe organizatorëve të saj, për shkak të organizimit në një ambient të ngushtë në kryeqytetin e Kosovës.

“Këtu duhet të udhëheqin familjarët, jo shoqata e luftëtarëve, se luftëtarët nëse do të kishin dashur, do të kishin shkuar në luftë bashkë me ta”, tha Ismail Zekaj, familjar.

Familjarët e 10 kosovarëve të vrarë në luftimet 40-orëshe në Kumanovë kanë ende dyshime se të afërmit e tyre u prenë në besë nga shqiptarët, që i lanë të rrethuar nga policia maqedonase.

“Ajo që na dhemb më shumë është tradhtia që është bërë. Ajo na dhemb neve. Tradhtia, për mendimin tim personal, është bërë prej shqiptarëve”, tha Taulant Gashi, vëllai i Turgaj Gashit të vrarë.

Edhe familjarët e kosovarëve që janë burgosur nga policia maqedonase, pas luftimeve në Kumanovë, tregojnë për Top Channel se gjendja e të tyre është e rëndë.

“Djalin e kanë torturuar shumë. Tri herë e kanë torturuar. Herën e fundit edhe dhëmbët ia kishin thyer”, tha Jetullah Elshani, babai i të burgosurit Bajram Elshani.

Ceremonia përkujtimore për të vrarët në Kumanovë u përmbyll me disa recitime nga fëmijët e të rënëve, ndërsa në fund, djali i njërit prej të burgosurve pas luftimeve në Kumanovë doli në skenë, duke inskenuar momentin kur e kishte parë babain e tij të arrestuar nga forcat maqedonase.

Top Channel