Koreja e Veriut e feston me paradë përfundimin e Kongresit

10/05/2016 00:00

Fundin e Kongresit të parë në gati 4 dekada të Partisë së Punëtorëve në pushtet, Koreja e Veriut e kremtoi me një miting masiv e një paradë në sheshin qendror të Penianit.

Kongresi çimentoi pozitat e udhëheqësit Kim Jong-un, duke e ngritur në rolin e kreut të partisë. Motra e tij Kim Yo-jong, sipas medias shtetërore është zgjedhur në krye të Komitetit Qendror. Në takim u miratua dhe politika kombëtare e forcimit të aftësive bërthamore të vendit komunist, krahas asaj të zhvillimit ekonomik.

Kim, që rrallëherë shfaqet në publik, është parë në tribunë duke përshëndetur me dorë turmën, e duke biseduar me zyrtarë të partisë dhe krerë ushtarakë. Me mijëra vetë marshuan në shesh duke valëvitur lule prej letre, tullumbace shumëngjyrëshe e flamujt e kuq të partisë.

Më shumë se 100 reporterëve të huaj u ishin dhënë viza për të mbuluar punimet e Kongresit, por në çeljen e tij shumë pak prej tyre u lejuan të hyjnë brenda shkurtimisht.

Kina i dërgoi një mesazh urimi udhëheqësit koreano-verior për pozicionin e tij tashmë të përforcuar, por nuk pati asnjë përfaqësues të saj në takim, çfarë u komentua nga analistët si shenjë e pakënaqësisë së Pekinit ndaj të dhënave të fundit se, Koreja e Veriut po përgatitet për testin e saj të pestë bërthamor.

Top Channel