Kosovë, Veseli takon Delawie; diskutohet bashkëpunimi dypalësh

10/05/2016 14:10

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur këtë të martë në një takim ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i cili e ka uruar për zgjedhjen si lideri i ri i PDK-së, duke i ofruar bashkëpunim të mëteshëm.

Sipas komunikatës për media të lëshuar pas takimit, kryeparlamentari Veseli dhe ambasadori Delawie kanë diskutuar edhe për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave pas rekomandimit pozitiv të dhënë nga Komisioni Evropian.

Ambasadori Delawie tha me këtë rast se, ky është një tregues i qartë se institucionet e Kosovës janë duke përmbushur përgjegjësitë e tyre karshi qytetarëve dhe detyrimet që dalin nga procesi i integrimeve evropiane.

Nga ana e tij, Delawie tha se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjithë hapat e saj të zhvillimit dhe integrimeve evropiane.

Në këtë kontekst, Veseli shprehu bindjen se Kosova është e sigurt në rrugën e saj, pasi vazhdon si një histori e përbashkët suksesi e Prishtinës, Uashingtonit dhe Brukselit.

Top Channel