Sulm terrorist në Mynih, agresori qëllon me thikë 4 persona

10/05/2016 00:00

Një 27-vjeçar sulmoi me thikë mëngjesin e sotëm njerëzit e ndodhur në një stacion treni të Mynihut, duke palgosur rëndë 4 prej tyre. Njëri prej të lënduarve ndërroi më vonë jetë në spital.

Dëshmitarët kanë dëgjuar thirrjen “Allahu Akbar” në momentin e goditjes. I riu ka qëlluar pa dallim ata që gjeti përpara në stacionin “Grafing”.

“Autori, – tha zëdhënësi i Prokurorisë së Mynihut, Ken Heidenreich, – ka përdorur shprehje me sfond islamik, por se cilat kanë qenë deklaratat e sakta të tij, kjo ende po verifikohet”.

Ajo çfarë dinë deri tani autoritetet është se, bëhet fjalë për një 27-vjeçar gjerman, që nuk është nga Mynihu apo rrethinat e tij. Agresori u prangos nga policia në stacionin e trenit. Sipas Zyrës Kriminale të Landit të Bavarisë, ai vjen nga Landi i Hessenit, ka lindur në Gjermani dhe nuk ka sfond emigranti.

Nuk dihet ende me siguri, nëse personi që tronditi vendin me gjestin e tij, ka lidhje me xhihadistët e “Shtetit Islamik”. Gjermania, që ka luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës në luftën kundër ISIS-it, nuk është bërë deri tani shënjestër e ndonjë sulmi madhor të militantëve islamikë, siç ka ndodhur me dy fqinjët e saj, Francën dhe Belgjikën.

Top Channel