Padia ndaj Presidentes braziliane, anulohet votimi i parë

09/05/2016 00:00

Procesi i paditjes së Presidentes braziliane, Dilma Rousseff, është vënë në dyshim serioz. Kryetari në detyrë i Dhomës së Ulët të Parlamentit brazilian, Waldir Maranhao, anuloi votimin e datës 17 prill që i hapi rrugën procedurës për të shkuar në Senat.

Ky i fundit duhej të votonte për paditjen e Rousseff të mërkurën. Aktualisht nuk është e qartë nëse ky votim në Senat do të zhvillohet. Maranhao tha se gjatë votimit të Dhomë së Ulët që miratoi paditjen Rousseff, ishin regjistruar parregullsi.

Ai tha se anëtarët e Dhomës së Ulët nuk duhej të kishin shpallur publikisht pozicionin e tyre para se të votonin. Maranhao gjithashtu tha se ishte e gabuar që krerët e partive kishin udhëzuar anëtarët e tyre se si të votonin.

Kryetari në detyrë i Dhomës së Ulët kërkoi që të zhvillohet një votim tjetër për paditjen e Rousseff. Por, sipas mediave braziliane, nuk është e qartë nëse Senati do të bjerë dakord që të rikthejë procedurën në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Gjithashtu s’është e qartë nëse vendimi i Maranhao mund të rrëzohet apo jo. Waldir Maranhao, i cili votoi kundër paditjes së Rousseff më 17 prill, u bë kryetar i Parlamentit në detyrë javën e shkuar, pasi kryetari i mëparshëm Eduardo Cunha u pezullua.

Top Channel