71-vjetori i fitores mbi nazistët, Rusia tregon “muskujt”

09/05/2016 00:00

Forcat e armatosura ruse parakaluan në qendër të Moskës për të shënuar 71-vjetorin e fitores sovietike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën II Botërore.

Disa nga pajisjet e reja luftarake ishin të pranishme në parakalim, përfshirë këtu raketën bërthamore me rreze të gjatë veprimi “RS-24 Yars”.

Avionë luftarakë, bombardues të rëndë dhe helikopterë fluturuan mbi Sheshin e Kuq, mes të cilëve edhe dy modelet e testuara në Siri, ku aviacioni rus po ndihmon trupat qeveritare.

Nuk mungoi gjithashtu parakalimi i njësisë së re Garda Kombëtare, e themeluar nga presidenti Putin dhe e drejtuar nga vetë ai.

Ajo do të pajiset me modelin e modernizuar të Kallashnikovit, “AK-74M” dhe do të ketë si detyrë luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar, detyra të mbajtura deri më sot nga njësitë Omon dhe Sobr, në vartësi të Ministrisë së Brendshme.

Në paradë morën pjesë 10 mijë anëtarë të stafit ushtarak, 135 autoblinda dhe 71 mjete ajrore.

Duke iu drejtuar forcave të armatosura, presidenti Putin vlerësoi kontributin e dhënë nga qytetarët sovietikë gjatë luftës, të cilët sipas tij “treguan se forca e vërtetë e kombit tonë është uniteti, shpirti triumfues dhe përkushtimi patriotik”.

Putin preku edhe çështjen e sigurisë ndërkombëtare, duke bërë thirrje për një sistem individual dhe “jo në bllok” për ruajtjen e saj, duke iu referuar kështu kundërshtimit që Rusia i bën NATO-s, edhe pse pa e përmendur emrin e Aleancës.

Gjatë eventit pati edhe një shfaqje aerobatike të avionëve “Sukhoi Su-25”, të përdorur nga Rusia në bombardimin e rebelëve sirianë, të cilët lëshuan tymin trengjyrësh i kuq, i bardhë dhe blu.

Top Channel