“Dokumentet e Panamasë”, publikohet një pjesë në internet

09/05/2016 00:00

Ekspertët në botë presin tashmë që skandali i “Dokumenteve të Panamasë” të zgjerohet edhe më shumë, pasi një sasi e jashtëzakonshme dokumentesh që kanë të bëjnë me mbi 200 mijë llogari në parajsa fiskale, janë bërë të disponueshme në internet.

Kjo sasi dokumentesh është e disponueshme në adresën “offshoreleaks.icij.org”. “Dokumentet e Panamasë” treguan se si disa njerëz të pasur përdorën kompani jashtë vendeve të tyre për të shmangur taksat dhe sanksionet.

Dokumentet i përkisnin firmës ligjore panameze “Mossack Fonseca” dhe u bënë publike nga një burim i panjohur. Firma ligjore mohon që të këtë shkelur ndonjë ligj.

Javën e shkuar, ajo nxori një urdhër për të ndaluar publikimin e dokumenteve në internet, por organizata Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, e cila zotëron dokumentet, i publikoi ato. Dokumentet kanë treguar asetet e fshehura të qindra politikanëve, zyrtarëve, ish-liderëve dhe liderëve të kombeve në detyrë, njerëz të famshëm dhe yje të sportit.

Mes tyre janë kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, presidentët Vladimir Putin i Rusisë, Petro Poroshekno i Ukrainës dhe Mauricio Macri i Argjentinës, bashkë me yllin e futbollit Lionel Messi, aktorin Jackie Chan dhe regjisorin spanjoll Pedro Almodovar.

Ish-kryeministri i Islandës, Sigmundur Gunnlaugsson, dha dorëheqjen pasi këto dokumente dolën në dritë. Konsorciumi i gazetarëve tha se të dhënat e publikuara nuk përmbajnë llogari bankare, transaksione financiare, e-maile apo lloje të tjera korrespondence, as numra pasaportash apo telefonash.

Sipas tyre, ky informacion i përzgjedhur dhe  i kufizuar po publikohet për interes të publikut.

Top Channel