Rivaldo vë alarmin: Mos ejani në Rio, mund të vriteni

09/05/2016 00:00

Kur kanë mbetur 3 muaj nga fillimi i Lojërave Olimpike të Rios, në Brazil situata nuk është aspak e qetë si në aspektin politik ashtu dhe në atë ekonomik.

Këtyre problemeve u shtohet edhe ai i kriminalitetit të lartë, një alarm ky që është lëshuar nga Rivaldo, ish-kampioni i botës në futboll në vitin 2002 me përfaqësuesen braziliane.

Në profilin e tij në Instagram, Rivaldo publikoi foton e një vajze 17-vjeçare e gjendur e vrarë në Rio de Janeiro e shoqëruar nga një mesazh paralajmërues për të gjithë ata që duan të udhëtojnë drejt Brazilit për të ndjekur Lojërat Olimpike.

“Këtë mëngjes, disa banditë vranë këtë vajzë. U këshilloj të gjithë atyre që duan të vizitojnë Brazilin apo të ndjekin Lojërat Olimpikë që të qëndrojnë në shtëpi. Këtu rrezikoni që të mbeteni të vrarë. Për të mos folur për spitalet publike që nuk janë në gjendje që të garantojnë shërbimin e përshtatshëm si dhe situatën politike kaotike. Vetëm zoti mund ta ndryshoj gjendjen e Brazilit tonë”, lexohet në mesazhin e Rivaldos.

Top Channel