Greqi, shkatërrohet grupi europian i trafikantëve të drogës

09/05/2016 00:00

Gjatë një operacioni që është në zhvillim e sipër, Departamenti grek i Antidrogës ka shkatërruar një nga grupet më të mëdha të trafikimit të lëndëve narkotike në Europë, pjesë e të cilit janë edhe shtetas shqiptarë.

Operacioni po zhvillohet në Greqinë e Veriut, në ishujt e detit Jon, veçanërisht në Zakintho dhe në Athinë.

Sipas informacioneve të deritanishme, kreu i grupit, i cili është grek dhe është arrestuar, udhëhiqte të gjithë trafikimin në rajonin e Ballkanit. Por, shumë anëtarë të këtij grupi janë shtetas shqiptarë dhe, siç theksojnë burimet policore, i merrnin lëndët narkotike – kryesisht hashash dhe kokainë – nga Shqipëria, i sillnin në Greqi, e më pas me anë të pjesëtarëve të tjerë të grupit i çonin në vendet e Europës Perëndimore.

Fitimet e grupit përllogariten në miliona euro. Deri tani janë konfiskuar 678 kg hashash, me vlerë mbi 1.5 mln euro, dhe janë arrestuar të paktën 15 persona, të cilët janë çuar në Athinë për t’u marrë në pyetje nga prokurori. Shumicën e lëndëve narkotike, siç transmeton edhe televizioni shtetëror i Greqisë, grupi e transportonte me motoskafe të shpejta ose me kamionë të transportit ndërkombëtar.

Top Channel