Kosovë, PDK: Ende shpejt për formatimin e qeverisë

09/05/2016 00:00

Një ditë pas përmbylljes së Konventës së Partisë Demokratike të Kosovës, e cila rezultoi me zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar, zëdhënësi Bleran Stavileci tha se nuk do të ketë ndonjë formatim të shpejtë të qeverisë.

Stavileci shtoi më tej se, dy kryetarët e koalicionit qeverisës, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa do të diskutojnë në vazhdimësi për ndryshime pozitive, për arritjen e sukseseve të reja të qeverisë.

“Për sa i takon koalicionit qeverisës dhe mundësive të riformatizimit, nuk ka ndonjë urgjencë. Pra për këtë punë, sigurisht që kryetari Veseli, së bashku me kryetarin e partisë tjetër, me kryeministrin Mustafa, me të cilin jemi në koalicion, por edhe subjektet e tjera, do të bisedojnë për çështje të rëndësishme sa i takon koalicionit, por jo brenda një dite apo brenda një akti”, tha Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së.

I vetmi ndryshim, që është paralajmëruar aktualisht në qeveri, është emërimi i Enver Hoxhajt ministër i Jashtëm, si dhe emërimi i Hajredin Kuçit zëvendëskryeministër i parë, dy poste këto që kanë mbetur vakante pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Në këtë konferencë të parë për mediet, pas zgjedhjes së Kadri Veselit si kryetar partie, Stavileci paralajmëroi se kjo parti do të mbajë së shpejti edhe dy Konventa, atë për Gruan Demokratike dhe Rininë Demokratike.

Top Channel