Kanada, moti lehtëson situatën katastrofike të zjarrit në Alberta

09/05/2016 00:00

Ulja e temperaturave, shirat e lehtë dhe ndryshimi i drejtimit të erës ndihmuan në reduktimin e zjarrit, që ka përfshirë rajonin e Albertës në Kanada. Gjithsesi, dëmet janë shkaktuar tashmë dhe zjarri mund të hyjë në histori, si katastrofa më e rëndë që ka prekur këtë shtet.

Gati një e pesta e shtëpive janë shkatërruar në qytetin kanadez Fort McMurray, i njohur si vend ranor naftëmbajtës. Parlamentari David Yurdiga pohoi për BBC-në se, mund të duhen vite të tëra përpara se qyteti t’i rikthehet normalitetit.

Më shumë se 100 mijë banorë braktisën banesat e tyre, si pjesë e urdhrit për evakuim masiv. Autoritetet thonë se zjarri që digjet prej një jave u përhap më ngadalë nga ç’parashikohej gjatë fundjavës.

Zjarrfikësit u përpoqën t’i mbanin flakët nën kontroll në zonat e prekura, të cilat mbulojnë tani një sipërfaqe prej 1.610 km katrorë. Deputeti i cituar nga BBC paralajmëron se, edhe pse pjesa më e madhe e qytetit mbetet e paprekur, për banorët ishte ende e rrezikshme të ktheheshin në shtëpi. Chad Morrison, shef i zjarrfikësve, tha gjatë një konference për shtyp se lufta për të përmbajtur flakët kishte arritur në një pikë kthese.

“Me pak ndihmë nga nëna natyrë dhe punën e vështirë të të gjithë zjarrfikësve, ne ishim në gjendje të vinim nën kontroll pjesën më të madhe të flakëve në Fort McMurray”, tha Morrison.

Zjarri po largohet në drejtim të lindjes, ku nuk ka zona të banuara, por ai ende kërcënon të kalojë nga Alberta në Saskatchewanin fqinj. Nuk ka pasur të vdekur apo të plagosur nga zjarri, por dy persona humbën jetën në aksidente rrugore gjatë evakuimit masiv. Kjo pritet të jetë katastrofa më e kushtueshme natyrore në historinë e Kanadasë, teksa kostot e sigurimeve pritet të prekin miliarda dollarët.

Top Channel