Erdogan e ka me Perëndimin: Turqia, e vetme kundër ISIS-it

09/05/2016 00:00

Retorika e Presidentit Recep Tayyp Erdogan kundër Perëndimit bëhet gjithnjë e më e ashpër. Pas një sërë deklaratash të forta, që kanë shënjestruar kryesisht Bashkimin Europian, udhëheqësi turk akuzon aleatët perëndimorë se nuk po e ndihmojnë Ankaranë në luftën kundër Shtetit Islamik.

“Të gjithë ata, që pretendojnë se po e luftojnë grupin në Siri, nuk i ka shkaktuar atij aq shumë humbje sa ne dhe as nuk kanë paguar një çmim kaq të rëndë sa yni. Ata na lanë vetëm, në betejën kundër këtij grupi, që vazhdon të na godasë”, tha Erdogan.

Komentet e tij vijnë pasi forcat turke vranë 55 militantë të ISIS-it gjatë së shtunës, në shenjë hakmarrjeje për sulmet raketore në një qytezë kufitare. Zjarri i artilerisë goditi rajonet e Suranit dhe Tal el-Hisnit në veri të Aleppos, sikurse edhe Baragidahun dhe Kusakcikun, duke shkaktuar dëme edhe në infrastrukturë.

Qyteza kufitare turke e Kilisit, e cila shtrihet përgjatë kufirit me territorin e kontrolluar nga Shteti Islamik në Siri, është bërë vazhdimisht shënjestër e sulmeve me raketa gjatë javëve të fundit, si pasojë e të cilave kanë gjetur vdekjen 20 persona e janë plagosur 70 të tjerë, sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”.

Ushtria turke përgjigjet zakonisht me artileri, por sipas zyrtarëve është e vështirë të goditen militantët në lëvizje të ISIS-it. Autoritetet i kanë kërkuar Perëndimit t’i ndihmojë në mbrojtjen e Kilisit dhe kufirit, por mungesa e veprimit ka nxitur Erdoganin të përdorë një retorikë të ashpër.

“Ata që bënë si të mençur, kur Turqia hapi zemrën dhe kufijtë për të shpërngulurit, i mbyllën menjëherë dyert, pasi ky u bë edhe shqetësim i tyre. Ata nuk e njohin mëshirën, drejtësinë, por vetëm diktaturën e tiraninë. Edhe pse u ofruam të zgjidhim thelbin e problemit duke eliminuar arsyen që detyron njerëzit të emigrojnë, përmes krijimit të zonave të sigurta në Siri, ata vazhdojnë ta shmangin këtë çështje”, tha më tej Erdogan.

Kilis pozicionohet rreth 60 km në veri të Aleppos, qyteti i dytë më i madh sirian, që përfaqëson edhe çmimin më të madh të fitores në konfliktin 5-vjeçar në vend. Atje janë të strehuar 110 mijë refugjatë sirianë.

Top Channel