Sanders sfidon Clintonin, me mendjen te Trumpi: S’mund të bëhet president

09/05/2016 00:00

Bernie Sanders vazhdon të mbetet shumë pas Hillary Clintonit, që shton dita-ditës mundësitë për të qenë përfaqësuesja e demokratëve në Presidencialet e nëntorit, por senatori nga Vermonti është zotuar ta vazhdojë deri në fund betejën e nominimit.

Argumenti, që solli përpara mbështetësve të tij në New Jersey, përfshinte këtë radhë edhe një emër tjetër, përveç atij të rivales së madhe brenda kampit demokrat: emrin e të nominuarit të supozuar të republikanëve. Gjëja më e rëndësishme në këto momente, – tha Sanders, – është që Donald Trump të mos bëhet President i Amerikës.

“Shpresoj shumë dhe pres që të gjithë ta kuptojnë se Donald Trump nuk duhet të kthehet në Presidentin e Shteteve të Bashkuara. E me gëzim ju them se, Trumpi nuk ka për t’u bërë dot president, sepse në çdo anketim kombëtar që kam pasur rastin të shoh, ne e mposhtim me numra dyshifrore. Nëse demokratët duan të kenë një kandidat të fuqishëm në garë kundër tij, duhet t’i shohin mirë sondazhet, sepse në secilin prej tyre ne e mposhtim Trumpin me diferencë shumë më të madhe sesa Clintoni”, tha Bernie Sanders, kandidat demokrat.

Sanders triumfoi mbi ish-Sekretaren e Shtetit në parapraket e Indianës të martën, por sërish është prapa saj me mbi 800 delegatë. Triumfi i miliarderit njujorkez në këtë shtet, nga ana tjetër, i detyroi rivalët e tij të tërhiqen nga gara, duke i pastruar kështu rrugën drejt nominimit.

Top Channel