Peniani: Arsenali bërthamor do të fuqizohet paralelisht me ekonominë

09/05/2016 00:00

Koreja e Veriut paralajmëroi se do të fuqizonte edhe më tej arsenalin bërthamor në cilësi dhe sasi, në një vendim të marrë gjatë një kongresi të rrallë të Partisë komuniste të Punëtorëve.

Kongresi, që nisi punimet të premten, është parë gjerësisht si një kurorëzim i mirëmenduar për Kim Jong-un, i cili siguroi statusin e tij si udhëheqës suprem dhe konfirmoi doktrinën zhvillimit të dyfishtë, atij ekonomik dhe bërthamor.

“Ne do të ruajmë linjën strategjike të nxitjes së zhvillimit ekonomik, e njëkohësisht fuqizimit të forcës bërthamore e asaj vetëmbrojtëse, duke u përqëndruar si te cilësia, ashtu edhe te sasia, për aq kohë sa imperialistët këmbëngulin në kërcënimet bërthamore dhe praktikat arbitrare”, ka thënë Jong-un.

E megjithatë, udhëheqësi i paparashikueshëm i vendit komunist, që ka kërcënuar në vazhdimësi të bëjë “shkrumb e hi” Nju Jorkun, Seulin dhe armiqtë që e rrethojnë, theksoi një ditë më parë se Koreja e Veriut është një vend i përgjegjshëm dhe se do t’i përdorë këto armë vetëm nëse do të kërcënohet nga një tjetër fuqi bërthamore.

“Por nëse autoritetet koreanojugore do të kërkojnë luftë, ne do të tregohemi të pamëshirshëm”, thuhet në një dokument të publikuar nga agjencia e lajmeve “KCNA”.

Ndërkohë, vendi nuk heq dorë nga grushti i hekurt kundër gazetarëve të huaj. Një i dërguar i medias britanike BBC në Penian u ndalua dhe u mor në pyetje për shërbimet e tij, të cilat janë konsideruar të dyshimta nga autoritetet e vendit. Rupert Wingfield-Hayes dhe ekipi i tij u ndaluan të premten, ndërsa po bëheshin gati të largoheshin nga Koreja e Veriut. Pas ndalimit u vendos dëbimi i tyre.

Top Channel